/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 21

106 29 11
                                    

-Ideja është e thjeshtë, - u ngrit menjëherë prej dyshemesë dhe filloi të vinte rreth e rrotull qelisë, -Por duhet të kemi kontakt me Henlein. Ai nuk di asgjë. Nuk di për arratisjen tonë. Apo që shkuam sërish me Eloisin. Apo që ndodhemi pikërisht këtu. Dhe ka vetëm një mënyrë që mund të kontaktojmë me të, por kjo nuk do të na pëlqejë aq shumë, - e dinte se nuk do t'i pëlqente aspak, por nuk kishin zgjedhje tjetër. Ishte shpresa e vetme.

-Ç'do të thuash? - ishte e lumtur që iu kthye ambicies dhe vetëbesimit, por nuk po e kuptonte aspak se ku donte të dilte me ato që tha.

-Mënyra e vetme që të flasim me Henlein është nëpërmjet Venerës. Domethënë Anakhontës. As mua s'më pëlqen kjo ide, pasi ishim pikërisht ne ata që refuzuam ndihmën e saj, por nuk kemi rrugë tjetër, - ishte i sigurt kur fliste. E kishte menduar mirë. Këtë herë nuk do të mundohej aspak. Këtë herë dera do të dilte para tij pa hedhur asnjë hap të rrezikshëm apo të vështirë. Gjithçka do të ndodhte shpejt dhe lehtësisht.

-E kuptoj, - filloi të mendonte rreth asaj që kishte dëgjuar, -Por vërtet më duket e panevojshme prezenca dhe përfshirja e saj në planin tonë, - e urrente faktin që ishte e afërt me Henlein, por kjo do t'i ndihmonte aq shumë sa i lëndoi.

-Është Vin'nila! Është! Për sa kohë ajo vazhdon të jetë një person i rëndësishëm për të, është. Sepse ajo ndodhet atje jashtë. Dhe do ta kemi të thjeshtë të takohemi me të. Ajo do të vijë vetë. Jam i sigurt për këtë. Ndërkohë që nuk kemi asnjë informacion se ku është për momentin Henlej. Ndaj nuk mund ta gjejmë atë për sa kohë ndodhemi këtu brenda. Bëhu gati Vin. Pasi do të jemi këtu për një kohë më të gjatë se zakonisht. Këtë herë gjithçka do të shkojë mirë, dhe askush nuk do të veprojë mbi ne nëse ne nuk e dimë këtë, përfshirë Eloisin, - kishte filluar të mendonte qartë; të mendonte për një plan po aq të thjeshtë aq të komplikuar.

-Si të thuash ti Uarden, - e kishte mbështetur këtë ide që në fillim, por tashmë po i dukej e çuditshme që ai vendosi vetë një gjë të tillë, ndaj ishte e sigurt që nuk do të ishte kjo e gjitha që ai kishte menduar dhe kjo gjë dukej sheshit.

Ai vend ishte i zymtë. I zymtë dhe i qetë. Vetëm hapat e tyre dëgjoheshin. Hapat e atyre që kalonin mes qelive të rradhitura në paralel, si të donin të tregonin rregullsinë e bukur në një vend të shëmtuar si ai. Ato hapa jehonin. Jehonin dhe tregonin se ishin mbi ta. Mbi njerëzit që ndodheshin atje brenda, mbi qetësinë dhe mbi shtypjen e ushtruar në tokë. Kalonin oficerë, punonjës, asistentë, inspektorë. Dhe kur ajo kalonte atje pranë kthente kokën gjithmonë nga qelia e tyre. Kthente kokën dhe ndihej krenare. Nënqeshte e kënaqur me atë që kishte arritur, pasi vërtet ishte munduar shumë. Por nuk ishte dorëzuar. Ishte e sigurt që nuk do ta kishte të thjeshtë t'i mbante gjatë në atë vend.

Jashtë frynte një erë e tërbuar, dhe dukej si të ishte duke lajmëruar vendin për një stuhi të rrëmbyer. Dhe kjo stuhi paralajmëronte fillimin e një lufte të ftohtë. Fillimin e luftës për mbijetesë.

Kishte dalë në pjesën e ballkonit, që nuk ishte gjë tjetër, veçse një copëz e shkëputur dhe më e dalë e murit, për t'i lënë hapësirë njerëzve që qëndronin aty, të shijonin bukurinë e qiellit dhe yjësisë në atë mbrëmje. Por mendja e saj nuk qëndronte aspak tek ata yje. Sado të shndritshëm të ishin, nuk e tërhiqnin. Ndihej bosh. Sikur gjithçka rreth e rrotull saj ishte një iluzion. Iluzion i cili do të përfundonte sapo Elois të fitonte kundrejt tyre. E ndiente se nuk duhet të vazhdonte e vetme. E ndiente se ata kishin nevojë për njëri-tjetrin. I interesonte Vin'nila. Që në momentin që kuptoi se ajo ishte gjithçka e mbetur e Henleit, filloi të ndihej në faj. Në faj për dhimbjen e dyfishtë që i shkaktoi. Ndonjëherë mendonte se gjithçka do të rregullohej. Ajo do të kishte sërish jetën e saj të pavarur, duke mos i kushtuar rëndësi asgjëje tjetër veç misionit që kishte ndërmarrë. Tashmë ndodhej sërish në fillim. Ndihej e penduar për çdo hap jo të menduar që kishte hedhur, por në vend të kësaj duhet të mendonte një plan të ri. Nuk do ta lejonte që Elois të shpëtonte paq, dhe tashmë që ajo kishte Uardenin falë meritave të saj dhe jo të bashkëpunimit mes tyre, do të hiqte dorë përfundimisht nga ajo marrëzi. Thjesht po priste çastin e duhur për ta ndaluar njëherë e mirë. Por ajo po e priste me padurim atë moment. Kjo, sepse ishte e sigurt që në fillim që ky partneritet nuk do ta kishte të gjatë.

Si Venera, nuk i kishte kushtuar shumë kohë jetës së saj. Ishte vetvetja vetëm kur ishte pranë tij, dhe kjo nënkuptonte se tashmë ishte sërish një Anakhonta. Hoqi vështrimin nga qielli dhe u kthye drejt llambës së ndezur të dhomës. Hyri brenda dhe mbylli derën, duke përfunduar kështu lojën mes erës dhe perdeve të pëlhurës. Ishte momenti të qetësohej. Të qetësohej dhe të niste një ditë të re. Ndoshta një jetë të re.

Ora shënonte 22:27 dhe të gjithë kishin fjetur. Madje edhe rojet para qelive ishin gati të rrëzoheshin në dysheme nga përtesa e madhe që iu shkaktonte gjumi. Ai mendonte se kishte ende kohë. Ndaj nuk guxoi të ndalonte së menduari. Gjëja e parë që iu nevojitej, ishte takimi i tyre me Anakhontën. Por kjo nuk mund të ndodhte në ato momente. Nuk mund të ndodhte sipas rregullave të atij vendi, por jo sipas rregullave të tij.

-Hej, hej, zgjohu! Kam nevojë për ty! - u afrua pranë hekurave të qelisë dhe ngacmoi rojën duke pritur një reagim nga ai, ose një shenjë që ishte zgjuar. Ky i fundit u ngrit menjëherë i trembur, si të kishte parë një makth të rradhës dhe u kthye i tensionuar drejt Uardenit.

-Çfarë kërkon në këtë orë? A nuk duhet të ishe në shtrat? - nuk mund të priste për përgjigjen e tij, -Më thuaj!

-Dëgjo... - nuk gjeti zgjidhje tjetër veç saj, -Pashë një ëndërr të keqe. Shumë të keqe, - shpresonte të tingëllonte sa më i besueshëm, -Sikur shtëpia ime kishte marrë flakë. E gjitha. Ishte bërë hi. Dhe nga kjo mu kujtua... Kur më arrestuan isha duke gatuar, dhe ika menjëherë, aq sa nuk munda të mbyll bombulën e gazit. Po sikur të digjet shtëpia? Ku do të flenë fëmijët e mi kur të kthehen? - po i dukej qesharake e gjitha. Thjesht po shpresonte që ai të mos kishte dëgjuar kurrë për të, ose të paktën të mos e dinte se kush ishte Luvern Uarden.

-Edhe? - nuk dinte asgjë rreth tij, rreth arrestimit të tij, nëse kishte një familje apo jo.

-Më duhet të bëj një telefonatë. Të lajmëroj gruan time që të mbyllë mirë bombulën dhe të lërë dritaret hapur sonte që gazi i dëmshëm të dalë jashtë shtëpisë. Thjesht imagjinoje nëse iu ndodh gjë, - përbrenda nuk mund të rreshtte së menduari se e gjitha ishte një marrëzi.

-Duhet ta konfirmoj tek një oficer telefonatën që do të kryeni. Nuk mund t'ju lejoj. Duhet të prisni deri në mëngjes, - gjithçka që donte ishte një sy gjumë, ndaj nuk dëshironte ta zgjaste më shumë.

-Ju e keni telefonin tuaj me vete, apo jo? Nuk keni pse t'i njoftoni. Do ta telefonoj shpejt dhe më pas do të shtrihem. E si mund të fle unë ndërkohë që familja ime mund të jetë duke u djegur, - ndihej me fat që gjithçka po thoshte nuk ishte e vërtetë. Kur imagjinonte se kishte vërtet njerëz në ato pozita, ndihej shumë keq, ndaj po shpresonte që edhe roja të kishte mëshirë për familjen e tij të trilluar.

-A të dukem gjë budalla? - u ngrit i inatosur dhe u drejtua nga ai, -Të thashë që nuk mund ta bëj këtë! Është e ndaluar! Kështu që ktheu në shtrat dhe na lejo të bëjmë pak pushim! Në mëngjes mund të telefonosh këdo! - u kthye sërish në drejtim të kundërt për t'u mbështetur në një faqe të murit.

-Por si mund të më zërë gjumi, kur atje tutje fëmijët dhe gruaja ime ndodhen në rrezik për jetën. A nuk ju vjen pak keq për një baba të gjorë si unë? - nuk e kuptonte se në çfarë dimensioni të mendjes së tij e kishte gjetur këtë trillim, por kishte filluar t'i pëlqente vërtet shumë.

-Në rregull! Në rregull! - u ngrit sërish i dorëzuar. Uarden brohoriti përbrenda, -Por më duhet të largohem për të lajmëruar një nga oficerët për këtë. Ata do të bëjnë të sigurt që gjithçka të jetë mirë. Do ta vë në dijeni për situatën dhe më pas do të të lejojnë të kontaktosh më familjen tënde. Do të dërgohen trupa për në vendin ku banoni që të kontrollojnë gjendjen.

E pranonte. Rojet kishin përparuar shumë. Nuk ishin më të njëjtët, si ata në filma që ishin të çuditshëm dhe dembelë, të painformuar dhe të paaftë. Këtë nuk e priste. Sapo i kishte hapur vetes një tjetër problem, që shpresonte të zgjidhej sa më shpejt të ishte e mundur, në të kundërt do t'i duhej të përballej me situata të pakëndshme.

Më e çmuar se vetë jetaUnde poveștirile trăiesc. Descoperă acum