/̵͇̿̿/'̿̿¯̿̿¯̿̿ 27

93 28 6
                                    

Ishte orari i drekës. Hekurat e thurur me njëri-tjetrin u hapën, duke i lënë të lirë për një periudhë të shkurtër, në të cilën gjithmonë kishin vepruar. Këtë herë nuk e kishin një plan kryesor, por do të përpiqeshin të bënin më të mirën, për sa kohë qëndronin bashkë. E dinte se Anakhonta nuk po qëndronte duarkryq atje jashtë. Ajo duhet të bënte diçka nëse vërtet i interesonte marrëveshja mes tyre.

-Sot do të ulemi larg të tjerëve. Duhet të flasim hapur, - u përkul për të arritur veshin e saj dhe i pëshpëriti.

Ajo pohoi me kokë dhe priti atë të vendoste se ku do të qëndronin. E ndoqi, derisa gjetën një vend të përshtatshëm. Ai vend sa vjen e bëhej më i mërzitshëm dhe më i papërshtatshëm për ta.

-E mban mend kur ishim për herë të fundit në burgun e Uashingtonit? - filloi bisedën pa menduar më tepër dhe pa u vonuar asnjë minutë më shumë. Që nga ai moment, çdo sekondë do të kishte vlerë.

-Po, -tha paksa konfuze, pasi nuk e kuptoi qëllimin e asaj pyetjeje.

-Ishe kaq e shqetësuar sepse kishim orë që qëndronim atje brenda. Orë. As një ditë të plotë. A e mban mend se sa optimistë kemi qenë? Sa të sigurt në hapin që do të hidhnim? - vazhdonte ta vështronte duke pritur një përgjigje të shpejtë nga ana e saj, që të mund të vazhdonte me bisedën e tij.

-Po, -pohoi sërish e pasigurt. -Luvern, çfarë po përpiqesh të thuash?

-E mban mend? - heshti për disa sekonda. -Është pikërisht ai optimizëm që na ka munguar këtu brenda. Duhet të ishim larguar ditë më parë. Nesër mbushen plot 3 javë që nga dita kur shkelëm këtu dhe kjo gjë s'po më pëlqen aspak, -priste mendim edhe nga ana e saj, por e dinte se nuk do të mendonte të njëjtën me të.

-Ke të drejtë! Ky vend është një makth më vete. Më ka marrë malli për lirinë dhe jetën tonë Luvern, -nuk dinte se çfarë të shtonte më shumë. Donte thjesht të largohej nga ai vend sa më parë.

-A e di që qëndrimi ynë sa më i gjatë në këtë vend e ka një të mirë? - këtë herë nuk kishte as dyshimin më të vogël që do ta kuptonte. Vin'nila vazhdonte të nervozohej. -Sa më gjatë të qëndrojmë në këtë vend, aq më e sigurt bëhet brenda kokës së Elois ideja se ne nuk do të mund të arratisemi. Ajo e di shumë mirë që është e pamundur që ne të mos largohemi për një kohë kaq të gjatë nëse gjithçka ishte në rregull dhe ne kishim një plan. Pra ajo e di shumë mirë që nuk e kemi një të tillë, pasi nëse do ta kishim, do ta kishim vënë në zbatim kohë më parë, që prej sekondës së parë që shkelëm në këtë vend. Kështu që kjo ide do ta bëjë të mos jetë aq e fokusuar te çështja tonë, duke e lënë të lirë të vazhdojë me detyrat e tjera të një punonjëseje policie, -kishte thënë çfarë mendonte dhe tashmë ishte rradha e Vin'nilës të vazhdonte.

-Dhe kjo do të na lejojë ta kemi më të thjeshtë largimin nga ky vend dhe arratisjen e plotë nga duart e Elois. Kjo është perfekte. Si nuk e kisha menduar më parë? - ishte e lumtur që tek e fundit po dëgjonte një lajm të mirë.

-Dhe jo vetëm. Elois është person korrekt, e aftë për punën që bën dhe e besueshme, por si çdo person tjetër e ka një dobësi. Mund të quhet më shumë si një huq i saj. Gjithçka mbi të cilën ajo vepron, është përshtypja e parë që ka marrë. Pra, me pak fjalë, për sa kohë ajo ende mendon se ne nuk mund të arratisemi, sepse nëse do të mundnim, do ta kishim bërë kohë më parë, do të vazhdojë të mendojë se ne nuk e kemi një plan. Pra i kushton rëndësi të shkuarës; atyre që kanë ndodhur. Kështu, ajo mendon se ka arritur të mësojë taktikat e sakta tonat apo të dikujt tjetër, por tek e fundit, kjo gjë do ta pengojë jashtë mase. Jo vetëm për faktin se do të na ndihmojë ne të arratisemi, por edhe se do t'i duhet t'i rikthehet çështjes së Bemnianit, e ashtuquajtur me emrin e koduar Çështja Meksikane, çështje e cila u zhduk papritur dhe do të ringjallet. Dhe kjo nuk është e gjitha. Kanë kaluar vite që nga ajo kohë. Elois njeh Bemnianin e vjetër. Jam i sigurt që i mban mend mirë strategjitë e tij, por ato kanë qenë në të shkuarën. Me shumë mundësi Bemnian nuk është më i njëjti, sepse nëse do të ishte, do të kërkonte të kthehej tek dyshja jonë e dikurshme, apo jo? -nuk ishte i sigurt se sa do të arrinte të mbante mend Vin'nila, por të paktën kishte filluar të hidhte rrënjët e para të planit të arratisë në mendjen e tij.

-Uarden! -brohoriti me një buzëqeshje në fytyrë. -Pse nuk m'i ke treguar më parë këto mendime? Do të na ndihmojnë vërtet shumë. Ti je i paparë. Nuk do ta mendoja kurrë në këtë anë situatën, - vazhdonte të buzëqeshte si e marrë, si të kishte dalë prej atij vendi që në ato momente.

-Më bëhet qejfi që e kape thelbin e mendimit. Por kjo nuk do të thotë që do ta kemi shumë të thjeshtë. Është më serioze se mendojmë, ndaj do të na duhet të mendojmë diçka më të detajuar. Si të na duhet të hartojmë një projekt. Të mos harrojme që pasi të arratisemi duhet të shkojmë në Meksikë. Dhe as Elois, as Bemnian nuk duhet ta kuptojnë që do të shkojmë atje. Në të njëjtën kohë Elois duhet të dijë rikthimin e Bemnianit në një nga çështjet më të rëndësishme. Dikush duhet ta lajmërojë atë. Nga ana tjetër qëndron Travenieri. Duhet të qëndrojmë larg Elois, por në të njëjtën kohë duhet të rimarrim atë diamant, -përfundoi të tregonte anët negative të së gjithës.

-Qenka më e komplikuar nga se mendoja, -Vin'nila nuk e kishte humbur ende shpresën, por e dinte se do të ishte e vështirë. Vërtet e vështirë, derisa të finalizonin atë që Uardeni e quajti projekt.

Pa e zgjatur shumë momentin dramatik, duke dashur të hyjë drejt e në temë, kaloi trupin e saj që qëndronte pezull para derës së kafenesë. U ul në një nga tavolinat aty, duke pritur nga ana e saj po të njëjtin veprim.

-Henlej? - iu drejtua sikur të mos ishte e sigurt që po e shihte në të vërtetë, apo thjesht po ëndërronte nga lodhja e madhe. -Ku ishe?

-Larg, -ia preu shkurt. -U nisa për në aeroport për t'u larguar nga ky vend, por kur pashë mesazhin tënd vendosa të kthehem për të marrë Vin'nilën. Por rruga që nga aeroporti e deri këtu, ishte vërtet e gjatë, më kushtoi me orë të tëra. Nuk mund të të kontaktoja pasi telefoni im u fik, dhe në pamundësi për të ndaluar udhëtimin që të qëndroja diku për ta karikuar, nuk të ktheva përgjigje. Doja të mbërrija sa më parë. Lajmi më gëzoi. Vërtet! -ajo uli kokën kur pa vështrimin e tij. Dukej qartë se e kishte kuptuar se Elois kishte arritur t'i kapte sërish. -E di që nuk zgjati gjatë liria e tyre, dhe isha i sigurt për këtë, për sa kohë ti bashkëpunoje me Elois, -i vinte hidhur kur e përmendte, pasi vërtet e urrente kur e dëgjonte të dilte nga goja e tij.

-Unë dhe Elois i dhamë fund kohë më parë Henlej. Dhe më lejo të ta përmend se pikërisht kjo marrëveshje ishte për të marrë atë për të cilin motra jote dhe Uardeni kanë kohë që luftojnë dhe jo vetëm. Do të më ndihmonte të merrja informacione rreth Uardenit. Nuk mund të gënjej. Nuk më interesonte aspak gjendja e tyre. E pse duhet të më interesonte kur ishin rivalët e mi? A të intereson ndopak për Eloisin? Ishte e njëjta situatë. Por gjërat kanë ndryshuar, - rezultoi të thoshte në fund.

E dinte se do ta dëgjonte atë nga ana e saj. Në të kundërt, nuk do të këmbëngulte aq shumë që ai të kthehej për hatër të Vin'nilës.

-Unë u ktheva për Vin'nilën Venera. Për asgjë tjetër! As për atë diamant të paçmueshëm, që nuk po bën asgjë tjetër veçse po shkatërron jetën tonë dhe gjithçka që ka lidhje me ne. Kam vendosur t'i jap fund Venera. Kam ardhur të marr Vin'nilën për t'u larguar. Sapo ata të dalin prej atij vendi, ajo do të vijë me mua, -nuk mund të duronte më gjatë. Kishte kohë që e shihte të motrën të vuante dhe nuk mund të bënte asgjë. Pavarësisht kësaj, do të ngurronte ta bënte.

-Mos fol gjepura Henlej! Ti mendon se Uardeni do ta lejojë diçka të tillë? Apo se Vin'nila do të pranojë të vijë me ty? Ishte pikërisht Uardeni ai që më nxiti të të gjeja dhe ishte pikërisht ai që më tha se nuk do të vazhdonin pa ty. Sepse ka besim tek ti. Nuk mund t'ia punosh në këtë mënyrë, apo jo? Nuk kemi rreshtur së menduari për ty Henlej. Dhe tani që të gjetëm, nuk do të lejoj të më ikësh nga duart sërish!

Më e çmuar se vetë jetaWhere stories live. Discover now